Cfarë janë kontratat Smart në Blockchain (Smart Contracts)

Rrezon Abazi
6 min readMar 26, 2019

Përpara se të prezantoj kontratat Smart, po ju sjell ndërmënd sistemin aktual të shitblerjes së pasurisë së paluajtshme, një proçes ky i tejzgjatur dhe me një sërë procedurash të cilat jo vetëm janë të kushtueshme por edhe kërkojnë shumë kohë për tu përmbushur per shkas se janë të përfshira disa palë.

Këto vitet e fundit kemi vënë re se kjo sipërmarje në Kosovë dhe Shqipëri është një ndër fushat e investimeve më të mëdha dhe se tregu i shitblerjes së pronave është mjaft aktiv. Pjesa më e madhe ju drejtohen agjensive imobiliare për të lehtësuar apo edhe përshpejtuar identifikimin e aseteve ne shitje por edhe se në të shumtën e rasteve agjentët imobiliarë shërbejn si ndërmjetes të negociatave gjate shitblerjes. Procesi i shitblerjes fillon me sigurimin e para-kontratave e më pas kontratatave të plota tek noteri, një palë tjeter kjo e cila krijon marrëveshjen perfundimtare ndërmjet palëve dhe legalizon kushtet e këtij transaksioni . Në rastet kur marrëveshja është e suksesshme duhen pasur parasysh disa shpenzime si për shembull përqindja e mbajtur nga agjenti imobiliar, tarifa shtetërore, sigurimet e ndryshme, pagesa ndaj noterit etj. Proçesi nuk ka përfunduar ende sepse kjo kontratë duhet ti drejtohet bankës për tu ekzekutuar. Për të përmbushur pagesën e shitblerjes së asetit duhen zbatuar disa proçedura të stërzgjatura ku tashmë përfshihet dhe një palë tjeter e cila duhet të bëjë identifikimin e palëve në transaksion dhe investigimin e prejardhjes së parave (pjese e politikave dhe rregullave bankare kundër pastrimit të parave dhe njohjes së klientit).

Tani po prezantoj kontratat Smart; çfarë do te mendonit nëse ju them se me kontratat Smart i gjithë ky proçes kalon në duart e shitësit-dhe-blerësit, pa pjesmarrjen e palëve ndërmjetse të përmëndura më lart dhe se kontrata do të vetë-ekzekutohet kur kushtet përkatëse të përmbushen nga të dyja palët. Pra kjo jo vetëm që është një kontratë e mençur (Smart) por ju lejon shumë mundësi për të krijuar një ekonomi të tërë të bazuar në të.

Në fakt kontratat Smart përmirsojnë të gjithë proçesin duke mundësuar lenien jashtë te palëve ndërmjetësuese dhe kjo jo për qëllim të eliminimit total të tyre por mënjanimit aty ku ndërhyrja e tyre nuk është e nevojshme. Keshtu palët e treta apo ato ndërmjetëse kanë rastin të përqëndrohen në shërbime me efikase dhe ju jepet mundësia të jenë adoptues të platformave për krijimin e kontratave Smart dhe të bëhen pjesë e një ekonomie të mençur.

Kontratat e mençura (Smart Contracts)

Pra ju lamë të kuptoni se kontratat e mençura (Smart) bëjnë të mundur mënjanimin e palëve ndërmjetësuese si përshembull noteri apo banka dhe se kontrata është nën kontrollin e plotë të palëve inicjuese (shitesit dhe blerësit). Përkshkrimi më teknik i një kontratatë Smart është ai i një kodi kompjuterik që vepron në teknologjinë blockchain dhe përmban një set rregullash te parashtrura me të cilat palët e përfshira në kontratë bien dakort. Kjo do të thotë se në momentin kur këto rregulla të parashtruara në kontratë përmbushen nga palët e përfshira, kjo marrëveshje automatikisht hyn në fuqi. Ky proçes bëhet i mundur falë kodit të shkruar ne formën e kontratës Smart i cili verifikon dhe fut në fuqi marrëveshjen apo transaksionin.

Pra, kontratat e mençura janë një mekanizëm që përmbajnë në vete asete dixhitale (kriptovaluta dhe informata) dhe dy apo më shumë pjesëmarrës. Pala shitëse depoziton asetet perkatëse në kontratë dhe këto asete ri-shpërndahen automatikisht në bazë të kodit i cili është shkruar në këtë kontratë me të dhënat e parashtruara (nga shitësi i asetit tek blerësi).

Kontratat Smart nuk janë të njejta me ato ligjore, madje disa ditë më parë krijuesi i këtyre kontratave,Vitalik Buterin, gjihashtu edhe themeluesi i Ethereum, shkruan në twitter se ndoshta do të duhej ti jepte një emër tjetër për shkak te ngatërrimit me kontratat ligjore. Në fakt idea e kontratave Smart ishte prezentuar nga Nick Szabo rreth viteve 90.

Për të kuptuar më mirë kontratat Smart më poshtë kam ilustruar situatën e shitjes së një apartmenti dhe ndryshimin mes kontratave tradicionale (fig 1.0) dhe atyre Smart (fig 2.0)

Në kontratat tradicionale shohim se proçesi i shitblerjes është i varur nga persona apo isntitucione të cilat shërbejnë si palë ndërmjetëse dhe me besueshmëri për të verifikuar e monitoruar proçesin e shitblerjes. Proçesi tradicional tashmë duket thuajse primitiv në krahasim me atë të kontratave Smart.

Fig 1.0 Kontratat tradicionale ligjore.

Në fig 2.0 tek kontratat Smart i gjithë procesi është ndërmjet dy palëve të përfshira në shitblerje dhe një kontrate të shkruar në mënyrë dixhitale. Në rast të plotësimit të kushteve të parashtruara ne kontratën Smart i gjithë procesi automatizohet në blockchain. Aty hyn në fuqi i gjithe koncepti për të ekzekutuar kodin e shkruar dhe nuk ka të bëjë me asnjë palë të tretë për sa i perket transferimit të pronësisë dhe hyrjes në apartmentin e ri nga blerësi. Për më tepër, fondet transferohen automatikisht ndërmjet dy palëve të përfshira në kontratë (shpejtësia dhe fleksibiliteti varet nga protokolli blockchain i përdorur për të krijuar dhe ekzekutuar kontratën).

Fig 2.0 Kontratat e mençura te shpjeguara në më shumë detaje.

Disa nga platformat më të përdorura deri më sot për të shkruar dhe ekzekutuar kontrata Smart janë:

Ethereum (ETH)

Eshtë platforma me më shumë përdorues dhe projekte të ndërtuara në përdorimin e gjuhës programuese Solidity dhe se ethereum përmes kontratave Smart ka hapur dyert për krijimin e aplikacione të decentralizuara apo Dapps.

NEO

Është shumë e përshtatshme për programues sepse bën të lehtë krijimin e kontrata duke u mbështetur në gjuhë programuese tashmë të njohura dhe të përdorura nga të gjithë : C#, F#, Java, Python, VB.Net, Kotlin dhe se kontratat e mençura në këtë platofrmë ekzekutohen nëpërmjet NeoVM apo makinës virtuale të NEO.

EOS

Po ashtu mbështet kontratat e programuara në C++ dhe i jep fuqi, shpejtësi dhe fleksibiltet kontratës sepse implementohen në blockchain në formë të (WASM) WebAssembly.

Cardano (ADA)

Padyshim si një ndër projektet më interesante në industrinë e blockchain me fokus të vecantë në garancinë e susksesit të kontratës siç është shkruar pa mesazhe të fshehura në të dhe se kontratat mund të kodohen në Solidity dhe Plutus ose Haskell si gjuhë funksionale

Stellar Lumens (XLM)

Si një platformë për kontrata Smart është më e shpejtë dhe se kushton më pak se ato në Ethereum, gjithashtu është shume e përshatshme për tu përdorur sepse mbështet në gjuhë si python, JS, php e te tjera nëpërmjet API të Stellar.

Konkluzion

Si përfundim unë mendoj se kontratat e mençura (Smart) janë vetëm fillimi i blockchain dhe se shumë fusha të ndryshme të jetës sonë të përditshme mund të autoamtizohen falë ksaj teknologjie e cila bën te mundur përmirësimin e shërbimeve për të gjithë qytetarët. Për më tepër, kontratat Smart do të lejojë rritjen e cilësisë dhe sigurisë së dokumentacionit gjithashtu dhe përshpejtimin e proceseve të bartjes së pronësise duke krijuar një ekonomi më efikase. Kontratat Smart për transferim të pronësise apo cfarëdo shërbimi tjetër do të aplikoheshin më lehtë nësë zyrat përkatese qeveritare do të implementonin teknologjinë blockchain dhe do të fillonin të identifikonin asetet me identitete dixhitale në blockchain. Ky proçes do të bënte të mundur krijimin e mundësive dhe shërbimeve të reja për individë, korporata dhe zyra shtetërore duke siguruar kështu një zhvillim ekonomik afatgjat.

Këtu dua të falenderoj Adele Jashari që më ka ndihmuar të shkruaj këtë blog dhe që ky postim i kontratave smart të jetë më i kuptueshëm për të gjithë.

--

--